Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Mbi 100 kate apartamentesh luksoz, të ndërtuara në Tiranë brenda 15 pallateve, janë të jashtëligjshme. Këtë denoncim e bën drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore Mit’hat Havari. Etja për ndërtim dhe antiligj, bëri që kjo mori pallatesh të ngrihen pranë qendrës së Tiranës. Sipas drejtorit Havari, këto ndërtime kanë nisur para vitit 2000. Më pas ardhja në detyrë e tij bëri të mundur kontrollin dhe nxjerrjen si të paligjshëm të tyre.
Mit’hat Havari:- “Ne mundëm të evidentonim rreth 15 pallate shumëkatëshe, që janë pa leje ndërtimi fare, pra pa kaluar në linjat shtetërore, nga KRT, pa studim urbanistik etj. Ata kanë ndërtuar sipas qejfit të tyre. Kjo do të thotë, se nuk ka funksionuar shteti, nuk ka funksionuar policia e ndërtimit, nuk ka funksionuar bashkia dhe ata kanë ndërtuar në mes të Tiranës në mënyrë të paligjshme. Tani unë ndjeja një lloj përgjegjësie dhe këto gjëra ia kam bërë prezent shtetit. Deri këtu është fuqia ime”.
Për Havarin, kjo histori ka marrë fund. Nga firmat që do të duan të marrin tani e tutje leje ndërtimi, kërkohet CV e tyre dhe më pas vendi ku do të ndërtojnë./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti