Hapet gara ndërkombëtare për linjën hekorudhore Vorë-Hani i Hotit. Zv/kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se ky investim do të bashkojë Shqipërinë me Malin e Zi, si një domosdoshmëri e rrugëtimit të dy vendeve tona drejt integrimit në Bashkimin e Europian.

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, përgëzoi Shqipërinë për konferencën e tretë ndërqeveritare dhe çeljen e grup-kapitujve të tjerë dhe tha se lidhja e popujve është shumë e rëndësishme.

“Lidhja e popujve është në thelb të vizionit të Bashkimit Europian dhe ne duam ta bëjmë këtë edhe nëpërmjet hekurudhës. Përdorimi i trenave me energji elektrike, do të ulin ndikimin në mjedis të transportit, gjë që është thelbësore për Bashkimin Europian. Dhe ndërkohë që Shqipëria bën rrugëtimin e saj drejt integrimit, Bashkiami Europian mbetet partneri juaj këmbëngulës dhe më mbështetës.”

Ministrja Balluku foli edhe për pjesën teknike të këtij projekti, ku trenat do të lëvizin me një shpejtësi prej 120 km/h.

“120 km nga Vora në Han të Hotit, të rikonstruktohen 12 stacione. 12 ura dhe një tunel në Lezhë me 320 metra. Do punësohen 100 persona. Impakti i ulët në ndotjen e mjedisit është dhe një nga arsyet që nxitet nga Bashkimi Europian për rehabilitimin e linjave hekurudhore. Financuar 370 milionë Euro, 50% grant, grantet më të mëdha bazuar në politikat e BE.”

Nga ana tjetër, ministrja u ndal edhe te avancimi i punimeve për linjën hekururdhore Tiranë-Durrës.

Qeveria shqiptare, sipas Ballukut, me mbështetjen dhe të Bashkimit Europian ka synim rikthimin e shkëlqimit të transportit hekurudhor dhe ndaj ka siguruar financimin prej 120 mln Euro edhe për hekurudhën dhe Durrës – Rrogozhinë, si dhe po punohet edhe për studimin e linjës Rrogozhinë –Pogradec.

Klan News