“Helena më çoi fjalë se donte vetëm fjalën time në këtë funeral”, kështu është shprehur kryeministri i vendit, Edi Rama në homazhet në nderim të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se për të është një barrë e madhe të flasë pranë arkëmortit të njeriut që e ngriti Gjuhën Shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa Letërsinë Shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave.

Edi Rama: Qëkur lajmi i vdekjes së Kadaresë mori dhenë, në kutinë e mesazheve të ditëve të mia, më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij. I lexoja dhe më kujtohej Ismaili, përpiqesha t’i merrja me mend se si do i merrte ai ata propozime për t’u varrosur përballë vëllezërve Frashëri, tek varrezat e Luftës Nacional-Çlirimtare, të Varrezave të Dëshmorëve në Kosovë. E di njësoj si ai arkëmort ku është shtrirë trupi i tij se po t’i kisha treguar vigjilien e këtij ceremoniali atje në Durrës buzë detit ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit, do të argëtohej shumë.

Siç thoshte Markez, “do i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet”. Kur Helena më çoi fjalë se donte vetëm fjalën time në këtë funeral duke i qëndruar besnik Isit të saj, i cili kishte alergji nga fjalimet, zgjodhi më të keqen e vogël nga dikush që nuk flet thjeshtë se e kërkon detyra, por edhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave. Ky nder, përveç se një barrë e rëndë përgjegjësie mu pranë arkëmortit të njeriut që e ngjiti Gjuhën Shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa Letërsinë Shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, m’u bë dhe një siklet po aq i rrallë sa dalja në një provim para fytyrës tallëse të Ismailit për nderimet dhe fjalimet.

Sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, më është bërë si një pullë poste që nuk më ndalet nga sytë pamja e tij gjatë ceremonisë së gradimit nga Presidenti i Francës. U ndjeva personazh i kurthit të fundit letrat të Kadaresë, një vorbull e hatshme ëndrrash me mua si nënpunësin e pallatit të zhgjëndërt të atyre ëndrrave. Kërkohej një varr, kush mundej thoshte të vetën, si një garë ethesh letrare, ku ai, apo ajo që do gjente vendin ideal për gropën e trupit të pajetë të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” dhe “Komisionit të Festës” do të siguronte dhe vendin më pranë tij në botën tjetër.


/tvklan.al