Avokatët mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, reaguan duke e quajtur hetimin e SPAK si keqdashës, te qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
Në një qëndrim zyrtar lidhur me hetimet e SPAK për kryetarin e Bashkisë, ata rënditën 8 pika si shkelje gjatë procesit hetimor.
“Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor. Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj. Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit”.
Mbrojtja pretendon se SPAK është në tejkalim të afateve hetimore pasi brenda 6 muajsh duhet të dilte në një përfundim. Për kontrollet, thonë se janë bërë pa mandat.
“Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat. Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi. Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit”.
Gjithashtu pala mbrojtëse pretendon se gjatë marrjes në pyetje te atyre që janë thirrur si “persona ne dijeni”, janë përdorur kërcënime dhe metoda intimiduese nga hetuesit.
“Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes. Edhe pse Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës”.
Mbrojtja shpreh shqetësime dhe për daljen në media të informacioneve mbi hetimin.
Tv Klan