Disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut të shtunën, gjatë bastisjeve nga Policia e Kosovë, pas shpërthimit të mbrëmshëm të kanalit të ujësjellësit në Ibër-Lepenc.

Mësohet se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kryeministri Abin Kurti i pranishëm në Varragë, vendin ku ndodhi shpërthimi pasi i konfirmoi ndalimet nga policia, nuk dha detaje nga hetimet. Ai e cilësoi akt kriminal këtë ngjarje dhe për këtë bën përgjegjëse Serbinë.

“Ky ishte sulmi i tretë. Kishte dhe dy sulme të mëhershme në 72 orët e fundit. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulme të tilla terroriste dhe aftësinë, kapaciteti, interesin për një gjë të tillë e ka veçse Serbia”, tha Kurti.

Ndërkohë që presidentja Vjosa Osmani ka anuluar vizitën e planifikuar në Brunei. Ajo tha se ndërkombëtarët kanë ofruar ndihmën e tyre.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe riparimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë”, tha Osmani.

Pas kësaj ngjarjeje të rëndë u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës i cili miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, stacione, antena, liqene.

Aktin e kanë dënuar në bllok Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke kërkuar që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

Kanali furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Megjithatë deri në riparimin e plotë të dëmeve janë bërë zgjidhje alternative dhe ka furnizim të rregullt me energji elektrike.

Tv Klan