Gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara për vitin 2020, pritet të jetë një Dejà vu. Kandidatët për kreun e Shtëpisë së Bardhë mund të jenë sërish presidenti Donald Trump dhe ish-rivalja e tij, Hilari Klinton.
Përfaqësuesit e familjes Klinton konfirmuan për WSJ se ish-Sekretarja e Shteti ka vendosur të futet sërish në garë. Sipas Mark Penn, këshilltar i Hilarit, kjo e fundit zotëron mbi 75% të popullaritetit në radhët e demokratëve dhe ka një mision ende të papërmbushur, të bëhet presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo nuk do të lejojë që mposhtja e saj nga Trump t’i japë fund karrierës dhe ëndrrës më shumë se 30-vjeçare, thotë këshilltari i Klinton. Vetë Hilari Klinton ka përsëritur disa herë se nuk do të kandidojë më për Shtëpinë e Bardhë, por Penn kujton se të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Barak Obama dhe më pas lajmëroi kandidimin.
Fushata presidenciale mes Hilari Klintonit dhe Donald Trump u shoqërua nga përplasje të forta dhe akuza të ndërsjellta për krime të rënda. Debatet presidenciale mes të dyve ishin të ndezura dhe ish-Sekretarja e Shtetit u komentua si fituesja e tyre, por në fund fitorja i takoi republikanit Trump.
Tv KLan