“Udhëheqja e tij, simbol i misionit të ngritjes së rolit të gruas”
Për vendimin, që e bëri Shqipërinë vendin e parë që mikpriti afganët, të cilët i ikën regjimit taleban, duke strehuar dhe numrin më të madh në tyre, kryeministri Edi Rama është nderuar me çmimin Inovatori i Nderuar Global nga Vital Voice, organizata e themeluar nga ish-Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton.
Çmimi i është dorëzuar në një ceremoni të organizuar enkas në New Jork, e ku znj. Clinton nuk i ka kursyer vlerësimet për kryeministrin shqiptar.
“Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama. Ai kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje”.
Kryeministri, i cili u shfaq i emocionuar për çmimin dhe për fjalët e ish-Sekretares së Shtetit dhe zbulon se arsyeja fillestare për të marrë vendimin për të mikpritur afro 4000 mijë afganë ishte pikërisht ftesës së znj. Klinton.
“Dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. “Në rregull, le ta bëjmë”. “Si?”, thotë.“Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”. Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”“Jo i them, le ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.” E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: “Më fal kush je?” Megjithatë nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi”.
Rama përsërit se vendimi për strehimin e afganeve ishte i natyrshëm, bazuar në historinë dhe traditën e Shqipërisë.
“Jam shumë krenar t’ju them se asnjë parti politike shqiptare nuk i tha “jo” pritjes së këtyre njerëzve dhe opinioni ynë publik ishte shumë në mbështetje të mikpritjes së tyre, por po ashtu mendoj, se duhej ta bënim edhe si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ata duhet ta dinë se në këtë jetë, ka një kohë kur merr dhe ka një kohë kur jep. Atëherë ishim ne që morëm, tani ishte radha jonë të japim”.
Si drejtuese e një organizate në mbrojtje të grave, Klinton e gjen me vend ta vlerësojë Ramën si mbështetës të grave duke iu referuar numrit të lartë të grave në qeveri. Por Rama dhe për këtë e ka një shpjegim.
Nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj”.
Organizata Vital Voice ka nderuar disa personalitet me këtë çmim që iu dha Ramës mes të cilëve presidentin aktual amerikan apo Sekretarin e Përgjithshëm të OKB.
Tv Klan