Gazetari Artan Hoxha deklaroi këtë të hënë se situata e krimit në lidhje me pronat është më e rëndë në Vlorë se në Durrës. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai theksoi se prej 6 muajsh asnjë person nuk pranon të bëhet drejtor i Hipotekës së Vlorës.
Shkak për këtë bëhet një vendim i Gjykatës së Apelit për një pronë në Jalë, ku drejtuesve u kërkohet të mos ekzekutohet.
“Atje situata është edhe më e rëndë se kaq. Kemi 6 muaj që nuk pranon njeri që të bëhet drejtor Hipoteke. Si është e mundur që nuk pranon njeri të bëhet drejtor Hipoteke? Sapo i del emri për kandidat drejtor Hipoteke, te dera e shtëpisë i shkojnë dhe i trokasin pronarët e pronave me letra dhe që nga ai moment të gjithë drejtuesit e Hipotekës së Vlorës u kërkohet vetëm një gjë, të çregjistrohet një vendim i Gjykatës së Apelit. Është dhënë një pronë në Jalë dhe kërkojnë që të mos ekzekutohet. Ai vendim është i formës së prerë dhe nuk kanë ça i bëjnë. Ti do ta kesh nesër zotin Lame dhe do ta sqarojë më mirë pse policia ka rritur nivelin e sigurisë përfshi dhe zotin Lame. Kush i kërcënon ata? Pse policia lokale nuk ka mundësi të ndërhyjë. Ai është territor 75.000 metër në një nga plazhet më të bukur në Jalë”, tha gazetari Hoxha.
Ndër të tjera, gazetari theksoi se shteti ka kapitulluar që momentin që zyrtarët nuk marrin detyrën pasi shprehen se u rrezikohet jeta nga grupe kriminale.
Nëse hetimi për çështjen e pronës në Jalë thellohet, sipas Artan Hoxhës do të dalin gjëra shumë të mëdha që fshihen nga pas.
“Asnjëri nuk e merr përsipër. Nuk ka kapitullim më të madh sesa zyrtarët e shtetit të mos marrin detyrën se thonë rrezikohet jeta dhe familjet tona nga grupet kriminale. Po të hetohet ajo do dalin gjëra më të mëdha. Grupet e Vlorës kanë edhe një gjë tjetër, kanë treguar që janë të qëndrueshme në aktivitetin e tyre. Atje kush e ka bërë falsifikimin, banditët në rrugë apo ata me kostumin e shtetit. Edhe në Vlorë është luftë bandash, por banda janë me kostumin e shtetit dhe bandat e “mala vita-s” kështu operojnë zakonisht”, theksoi Hoxha./tvklan.al