Hapen bare restorante, lëvizje e lirë për qytetarët
Pas 11 javësh izolim dhe lëvizje e kufizuar, e hëna ka rikthyer normalitetin në vend. Qytetarët janë të lirë të lëvizin pa leje edhe me automjetet e tyre. Të gjitha bizneset i janë rikthyer punës.
Baret dhe restorantet janë ato që kanë përfituar të fundit nga lehtësimi i masave të vendosura prej pandemisë së Covid-19. Çelja është bërë kundrejt disa masave, siç është respektimi i distancave, nga një tavolinë tek tjetra.
Restorantet janë treguar edhe më të kujdesshme, duke vendosur në hyrje të tyre staf që orienton klientët, ndërkohë që u mat dhe temperaturën.
Në zonat e kuqe, funksionimi i bareve dhe restoranteve do të jetë deri në orën 21:00.
Ndërsa në zonat e gjelbra, siç është Vlora, baret dhe restorantet do të funksionojnë normalisht dhe pa kufizime në orar. Në Lushnje, baret janë hapur të gjitha, ndërsa restorantet vetëm disa, pasi ju mungon hapësira e jashtme.
Mungesa e këtij shërbimi për një kohë të gjatë bëri që baret të populloheshin.
Në Korçë, baret dhe restorantet u hapën, por frekuentimi duket i ulët. Në pedonale dhe Pazarin e Vjetër ka pak klientë, ndërsa shërbimi kryhet sipas protokolleve të sigurisë. Frekuentimin e paktë të lokaleve dhe bareve, bizneset e lidhin me kufizimin e orarit dhe pezullimin e transportit ndërqytetas.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Elbasan. Pothuajse të gjitha bizneset e hapura, në hyrje të tyre kanë vendosur dizinfektantët dhe termometrat.
Tv Klan