Histori me zhurmues- “Histori me Zhurmues” rrugëtoi sonte në vitet e para të çlirimit dhe ngjitjen në pushtet të Partisë Komuniste, kur menjëherë pushteti popullor nisi eleminimin fizik të të gjithë kundërshtarëve ideologjikë, anëtarë të organizatave të ndryshme nacionaliste, njerëz me prejardhje nga shtresat e pasura dhe intelektuale.
Kështu u përmbys përfundimisht ëndrra e shqiptarëve për një vend demokratik. Me një seri gjyqesh të montuara, Shqipëria hyri në rrugën e njërës prej diktaturave më të ashpra të Europës Lindore.
Në Mars të 1945-s, në qytetin e Korçës u bë gjyqi i parë politik, ku Avni Xhomaqi, aktivist me rininë e Ballit Kombëtar në Ersekë, i arrestuar në Korçë, u dënua fillimisht me vdekje, por falë një ndërhyrjeje nga ekzekutim me vdekje dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm.
Pasi u dergj 18 vjet në burg, qëndroi në internim deri në vitin 1990. Avni Xhomaqi rrëfeu sonte në “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, fatin e tij në vitet e diktaturës.
Një tjetër protagonist ishte Pirro Angoni. Ai dëshmoi për pushkatimin e të atit, Prof. Farudin Angonit, shok femijërie me Enver Hoxhen, i cili u gjykua në të njëjtin proces me Avni Xhomaqin.
Fejzi Alizoti, një ish i dënuar me 15 vjet burg dhe i internuar deri në 1990-n, rrëfen kalvarin e tij të burgut që hoqi, ngaqë ishte nipi i Fejzi Alizotit, ministër qysh nga koha e Ismail Qemalit deri ne vitin 1944, deputet dhe kryetar i parlamentit, i cili u pushkatua në vitin 1945.
Një vit më vonë pushteti popullor pushkatoi edhe të birin me të njëjtin emër, Fejzi Alizotin, inxhinier nafte i diplomuar në Universitetin e Kembrixhit me medalje ari. /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al