Një video në kanalin ABC7 në New York ka marrë vëmendjen e mijëra shqiptarëve këto orët e fundit. Në video shfaqet një zonjë me emrin ‘Simaku Nofe’, e cila përfiton nga ndihmat vullnetare si e pastrehë. Pas publikimit të kësaj video nga gazetari Blendi Fevziu, shumë shqiptarë thanë se ajo është këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, e cila jeton prej vitesh në New York.
Në një reagim tjetër në rrjetet sociale, Fevziu u shpreh se zonja në video është Parashqevi Simaku. Ai u shpreh se sipas informacioneve, Simaku është e pastrehë dhe pa asnjë ndihmë financiare.
‘Po, është Parashqevi Simaku, këngëtarja shqiptare e cila u largua në vitin 1991 drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, biznesmenë të rëndësishëm amerikanë, njerëz të njohur të New York-ut, më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që kanë vënë në dispozicion avokatët e tyre apo njerëz që merren me gjetjen e personave, sepse njerëzit që i kanë folur asaj në gjuhën shqipe, ajo reagon dhe largohet. Ata janë duke e kërkuar ku është, me se merret dhe padyshim është në dinjitetin e shtetit shqiptar t’i ofroj një pension normal si një artiste që ka lënë gjurmë në artin shqiptar’, tha ndër të tjera gazetari Blendi Fevziu.
Sensibilizimi për ikonën e muzikës është i madh edhe në Shqipëri. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja tha se Parashqevi Simaku, është vajza nga Kavaja që me zërin e saj të artë ndriçonte kombin shqiptar në momentet e veta më të zymta! Ajo është një ikonë dhe një krenari e Kavajës.
Artistja shumë e dashur për të gjithë iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1992. Atje u martua dhe lindi një djalë, por pas disa vitesh në jetën e saj ndodhi divorci. Pikërisht kjo disfatë në jetën e saj, e largoi pa gjurmë edhe nga familja.
Klan News