“Harabel Contemporary” sjell një nga ekspozitat më të veçanta që do të qëndrojë e hapur nga 5 dhjetori deri më 12 shkurt 2025. Në “Naan Gallery” gjenden 100 piktura të Salvador Dali i cili ka ilustruar “Komedinë hyjnore” të Dante Alighieri.

“Ëndrra hyjnore” është kuruar nga Zef Paci dhe Ajola Xoxa, e cila në një lidhje direkte me programin “Rudina” në Tv Klan, shpjegon si janë bashkuar dy figurat e mëdha artistike.

Ajola Xoxa: Janë ksilografi, ilustrime. Urojmë që në një të ardhme të arrijmë të sjellim edhe piktura, por këto janë pak më të thjeshta sesa piktura. Janë punime të ksilografisë, janë ilustrime të “Komedisë hyjnore” të Dante Alighieri, kështu që praktikisht jemi shumë të lumtur që bashkarisht po sjellim edhe Dali, edhe Dante Alighieri. Ky grup ilustrimesh nga Salvador Dali ka një histori shumë të bukur sepse është komisionuar nga qeveria italiane në 1950 Salvador Dali për të prodhuar ilustrimet e të madhit Dante Alighieri, por duke qenë se Dali ishte i konsideruar shumë skandaloz dhe ndoshta pak blasfemik,  si përfundim kjo ekspozitë nuk u shfaq si e tillë. Megjithatë, Salvador Dali i cili tashmë kishte realizuar një pjesë të madhe të punimeve të tij, shkoi në Francë ku mesa duket ishin pak më liberalë dhe vendosi që gjithsesi t’i publikonte ato. Ato u publikuan të gjitha së bashku dhe që nga ai moment, ato vijnë gjithnjë të gjitha së bashku, është si një grup punësh që ilustron “Komedinë hyjnore” të Dante Alighieri. Ne e kemi ndarë ekspozitën në tre grupime sikurse është edhe “Komedia hyjnore”, sikurse edhe Dali vetë ka dashur, në ferrin, purgatorin dhe parajsën. Për ata që do të kenë mundësi ta vizitojnë, në katin e parë do të gjejnë purgatorin dhe ferrin, pastaj sigurisht që në katin e dytë do të gjejnë parajsën me një atmosferë krejt tjetër.

Ekspozita do të jetë e hapur çdo ditë dhe është realizuar edhe një dokumentar i detajuar. Në galeri ka edhe një dhomë kushtuar veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve./tvklan.al