E shoqëruar nga avokati i saj, ka mbërritur në SPAK këtë të Hënë deputetja socialiste Klotilda Bushka. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Bushka do të japë shpjegime para hetuesve pasi ka dyshime se ka konsumuar elementë të veprës penale “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. “Dyshohet po ashtu se Kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka pasur dijeni për një OJF me të cilën SPAK pretendon se është ngritur një skemë korruptive”, raportoi Daci.
Kujtojmë se SPAK e njoftoi zyrtarisht se ndaj saj po kryheshin hetime, ditën që u arrestua kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. Në dëgjesën me grupin parlamentar të PS-së, Bushka theksoi se nuk ka “tentuar të fshehë asnjë të vërtetë”, duke shtuar se nuk është thirrur kurrë nga prokurorët për t’u pyetur. Para kolegëve të saj, Bushka u shpreh se me Ajola Xoxën ka bashkëpunuar që para se të bëhej deputete, ndërsa Erion Veliajn e ka “mik fëmijërie”.
Siç ka deklaruar më herët, i ka qëndruar pranë Xoxës gjatë hetimeve të prokurorisë, ndërsa me Veliajn ka folur më rrallë për shkak të angazhimeve të kryebashkiakut. Tanimë pritet që Bushka të japë një prononcim për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa ende nuk e dihet se a do të caktohet një masë sigurie ndaj saj.
/tvklan.al