Një magji nga Lara Kolturi e cila zbriti slalomin në Gurgl (Austri). Në moshën 18-vjeçare, italiania që garon për shqipërinë pushton podiumin e parë të karrierës së saj në fund të një gare perfekte. Vetëm Mikaela Shiffrin është më e shpejtë se Lara.

Arritje historike personale, por edhe për flamurin shqiptar që për herë të parë do të ngrihet në podiumin e një gare Botërori të skive.  Sportistja e klubit të Tiranës u rendit e 2-ta në Kupën e Botës që po mbahet në Austri.

Vetë skiatorja edhe pse shprehet se nuk ka bërë gjithçka mirë, gjithsesi shprehet se është e lumtur për këtë rezultat të arritur.

Lara Colturi: Nuk kam bërë gjithçka mirë. Sigurisht kam bërë më të mirën time, por bëra edhe një gabim. Isha stërvitur mirë gjatë muajit të fundit dhe atë çka bëra në stërvitje e vura edhe në garë dhe për këtë jam shumë shumë e lumtur.

Lara ka marrë përgëzime edhe nga kryeministri Edi Rama, që nëpërmjet rrjeteve sociale e cilëson këtë si një arritje historike, duke ngritur për herë të parë flamurin shqiptar në podiumin e një kampionati botëror të skive.

Edhe Kryebashkiaku Erion Veliaj uroi Colturin. Me një postim në rrjetet sociale ai shkruan: Super lajm! Skiatorja e KS Tirana, Lara Colturi, renditet e 2-ta në Kampionatin Botëror të Skive. Për herë të parë, flamuri shqiptar do të ngrihet në podiumin e një kampionati botëror skish.

Pak ditë më parë ajo mbushi 18-vjeç dhe tashmë hyn në histori me flamurin shqiptar duke u renditur pas ekspertes Mikaela Shiffrin.

Ndalesa e radhës do të jetë në Killington pas 1 javë për Larën dhe për ekipin e saj.

Tv Klan