Konflikti për pronat për pak sa nuk përfundoi në tragjedi këtë të hënë në Ndroq të Tiranës. Një përplasje e ashpër mes disa banorëve në fshatin Shesh çoi në plagosjen e një prej tyre me kazmë. Por pikërisht plagosja e personit në fjalë, i identifikuar nga policia me iniciale E.D, bëri që djali i tij të merrte armën e gjahut dhe të tentonte të vriste autorin e dyshuar të ngjarjes, duke i shkuar me armën e mbushur me fishekë në shtëpi.
Fatmirësisht, ndërhyrja në kohë e efektivëve të policisë bëri që gjithçka të mbyllej me kaq. Për ngjarjen autoritetet arrestuan 2 persona, D. N., 45 vjeç, dhe K. D., 27 vjeç.
“Arrestimi në flagrancë u bë pasi në fshatin Shesh, Ndroq, shtetasi D. N. për motive pronësie ka goditur me mjet të fortë (kazmë) shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë“, thotë policia në një njoftim për mediat./tvklan.al