Familjarë miq, të afërm dhe qytetarë të Fierit dhee Roskovecit i kanë dhënë lamtumirën e fundit deputetit Fatmir Xhindi, i vrarë mbrëmjen e së sht8unës pranë shtëpisë së tij. Një lamtumirë e parakohshme, në varrezat e vendlindjes në Roskovec.
Gjatë ditës politikanë të të gjitha partive politike, deputetë dhe qytetarë bënë homazhe në shenjë respekti pranë arkivolit të tij, të vendosur në muzeun e qytetit të Fierit. 49 vjeçari, babi i 3 fëmijëve u qëllua me kallashnikov rreth orës 21 e 10 minuta pak hapa larg portës së shtëpisë ku jetonte prej vitesh nga një distancë shumë e afërt nga persona ende të paidentifikuar.
Plot 15 plumba janë shtënë mbi të, 6 prej të cilëve i përshkruan trupin.
Anduena Llabani: “Kjo është rrugica mbi të cilën mendohet që autori që qëlloi me armë deputetin e Partisë Socialiste Fatmir Xhindi të jetë larguar për të mos lënë asnjë gjurmë. E gjithë kjo zonë është mbikëqyrur dhe është krehur nga prokurorë dhe oficerë të policisë, të krimeve të rënda, të cilët tashmë kanë marrë në dorë hetimin e kësaj ngjarje të rëndë.”
Ekspertë policor të kriminalistikës po ekzaminojnë çdo provë të mbledhur në vendin e ngjarjes, po punohet gjithashtu në mbledhjen e informacioneve në rrugë operative dhe përmes dëshmive. 10 persona janë shoqëruar në polici pasi dyshohet të kenë dijeni mbi ngjarjen. 250 mijë euro janë vënë shpërblim për atë që do të japë informacione të sakta mbi autorin.
Klodian Branko: “Lidhur me ngjarjen e rëndë që bën fjalë për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime. Këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave. Sekuestrimi i 4 bërthamave të predhave dhe 5 copë kamishave të predhave. Sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i qeseve plasmani, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes.”
Ende nuk dihet se sa ka qenë numri i personave që përgatitën ekzekutimin e tij. Forcat speciale të RENEA-s që mbërritën një ditë më parë nga Tirana dhe prokurorë të krimeve të rënda kanë nisur kërkimet me çdo kusht të çdo të dhëne që do t’i çojë drejt zbardhjes së krimit.
Dëshmi, fakte si dhe tabulate të telefonit celular të të ndjerit priten të jenë prova e vetme, ku do të bazohen hetimet e para. Për momentin asgjë nuk thuhet, madje dhe as emrat e shokëve dhe miqve që panë dhe folën për herë të fundit me të ndjerin./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani