Dëshmia në polici: S’kam gisht në vrasjen e Malkos
Ishin takimet me bashkëshorten që e çuan në pranga llir Selmanin, një prej të akuzuarve për vrasjen e ish-policit Santiago Malko 8 muaj më parë, jo shume larg vendit ku u arrestua 35-vjeçari.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se agjentët e policisë e mbanin nën vëzhgim prej kohësh familjen e tij, në përpjekje për të zbuluar se ku fshihej.
Disa vizita të bashkëshortes në një pallat në rrugën “Endri Keko”, në zonën e Xhamllikut, shtuan dyshimet e policisë.
Pas disa ditësh nën vëzhgim, ata u siguruan për praninë e tij dhe pritën momentin që të dilte nga banesa. Këto janë edhe pamjet e arrestimit.
Ilir Selmani sapo kishte dalë dhe mbante me vete një pistoletë me fishekë në gojë.
Në polici mësohet se ai ka mohuar pjesëmarrjen në vrasjen e ish-efektivit të policisë. Ka pranuar njohjen me Leonard Dukën, i dyshuari kryesor për vrasjen, por tha se s’kishte gisht në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 27 Gushtit në rrugën “Xhanfize Keko”.
Për pistoletën tha se e mbante me vete për vetëmbrojtje, pasi ndihej i kërcënuar nga një grup kriminal rival, që sipas tij vepron në kryeqytet.
Por dëshmia e tij nuk i ka bindur hetuesit. Prokuroria thotë se ka prova të pakundërshtueshme kundër tij. Për vrasjen e ish- policit, në kërkim vijojnë të jenë edhe 7 persona të tjerë, mes tyre edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. I arrestuar është edhe Blendi Teta, që akuzohet për moskallëzim krimi.
Tv Klan