Në figurën e saj të përditshme, ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca shihet nën petkun zyrtar, në krye të detyrës sa në terren e sa në mbledhjet e qeverisë. Për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, pas diskutimeve mbi detyrën, ajo lë mënjanë detyrën e ministres për të na treguar Fridën, në nota më personale e familjare rreth saj, duke filluar me origjinën dhe rritjen.
Frida Krifca: Mami është nga Tirana, unë kam lindur në Tiranë. Im atë është nga Dibra e Madhe. Unë jam rritur nga gjyshja, kam ndarë një dhomë me të, Nana. Nëna ime dibrane, që e kishte edhe babin, edhe mamin dibranë, më ka mëkuar me dashurinë, traditat dhe ushqimet dibrane. Nuk mund të them që jam tironce kur kam babin nga Dibra. Por Nana ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën time.
Frida tregon se kuzhina, e lidhur me gatimet e gjyshes ka qenë një pjesë e madhe e kohës së saj të fëmijërisë, që është përpjekur t’ia injektojë edhe vajzave. Me disa pyetje të shpejta nga moderatorja Orinda Huta, ajo zbulon edhe disa gjëra të preferuara të saj.
Orinda Huta: Fundjava juaj perfekte?
Frida Krifca: Fundjava ime perfekte është në natyrë, patjetër, me miq, me njerëz të dashur.
Orinda Huta: Qyteti më i dashur?
Frida Krifca: Tirana.
Orinda Huta: Fshati më i dashur?
Frida Krifca: Nuk mund të përcaktoj vetëm një, i gjithë fshati shqiptar është një fshat për mua që e dua shumë fort.
Orinda Huta: Ushqimi i preferuar nga tradicionalet?
Frida Krifca: Tava e dheut.
Orinda Huta: Nuk mund të ndash Dibrën edhe Tiranën?
Frida Krifca: Mund të ishte gjinari, që është ëmbëlsira ime e preferuar që është ëmbëlsirë dibrane, mund të ishte sheqerparja kur shkojmë te ëmbëlsirat, mund të kuptosh pak dobësinë time./tvklan.al