Marrëveshjet e arritura me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” kanë hapur tregun për produktet blegtorale shqiptare në këto dy vende. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste në Klan News, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cila ka theksuar se po punohen në mënyre të veçantë për të rritur sigurinë ushqimore të produkteve bujqësore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca i ka cilësuar mjaft të dobishme marrëveshjet e arritura me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Krifca u shpreh se nëpërmjet këtyre marrëveshjeve Shqipëria ka hapur tregun për të eksportuar produkte blektorale.
Frida Krifca: Unë e konsideroj arritje marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur” në kuadër të nismës së liderëve për të krijuar një treg më të gjerë që është dhe çështja më e rëndësishme dhe thelbësore me interesin ekonomik. Me interesin më të madh për vendin tonë është që ne më në fund, pas 30 vitesh eksperiencë kemi mundur që të hapim për këto dy vende eksportin e produkteve blegtorale dhe të kafshëve të gjalla. Pjesa tjetër është njohja e certifikatave fito-sanitare, të vetmit që fitojmë jemi ne që hapim eksportin e produkteve blegtorale atje.
Ministrja shpjegoi në Klan News dhe objektivat e qeverisë për vitin 2022 në sektorin e bujqësisë.
Frida Krifca: Të përforcojmë dhe të rrisim sipërfaqen e shtuar të serave, ku fermerët shqiptarë kanë krijuar një avantazh konkurrues. Buxhetin më të madh që kemi në dispozicion në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj fermerëve për vitin 2022 që është 3.2 miliardë lekë, ndërkohë që kemi në dispozicion 7.1 miliardë lekë që është gjithë masa e zhvillimit rural.
Krifca tha se Ministria e Bujqësisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë sigurisë ushqimore duke rritur standardet e produkteve që hidhen në treg.
Klan News