Në ferma, jo vetëm do të prodhohet, por edhe do të mbahet një regjistër për veprimatrinë e tyre. Ministria e Bujqësisë në Bashkëpunim me FAO lançuan sot Projektin e Bashkëpunimit Teknik, ku do të implementohet rrjeti i të Dhënave të Kontabilitetit të Fermës. Ministrja Frida Krifca e vlerësoi nisjen e projektit si një nga rekomandimet e Raport Progresit për Kapitullin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Krifca tha se rekomandimet e Progres Raportit të BE janë një busull orientimi për vazhdimin e punës në sektorin bujqësor.
“Sot specifikisht do të fillojë puna për një tjetër rekomandim dhe kusht të lënë në kapitullin 11 dhe ne hartojmë politikën e implementimit të Rrjetit të të Dhënave të Kontabilitetit të Fermës. Për këtë dua të falenderoj shumë FAO, që e ka ndërmarrë dhe na ka mbështetur në këtë kërkesë të BE, në Progres Raport. Ne jemi duke punuar për vendosjen e detyrueshme të librit të fermerit paralelisht me këtë, duke mundësuar kështu, marrjen e të dhënave nga ferma për përdorimin e inputeve, pesticideve, insketicideve për mbrojtjen e bimëve. Po punojmë gjithashtu për ngritjen e Urdhërit të Agronomit dhe mekanizmave institucional dhe ligjorë për mbikqyrjen dhe asistimin e fermerit në të gjitha fazat e prodhimit dhe praktikisht e them këtë sepse të gjitha këto lidhen së bashku në mënyrë që të mbrojmë fermerët tanë, t’i udhëheqim ata, të mbrojmë konsumatorin dhe të kemi një zinxhir të mbyllur të gjithë produkteve që prodhojmë dhe konsumojmë dhe të garantojmë cilësi te konsumatori”.
Ministrja bëri me dije se brenda vitit 2021 do të jetë gati edhe Rregjistri i Fermës.
“Është kthyer në prioritet parësor për ne Rregjistri i fermës për t’u kryer Brenda vitit 2021, për të cilin kemi marrë masa dhe po punohet për të ndërtuar dhe për ta konsoliduar në mënyrë të plotë brenda këtij viti”./tvklan.al