Mbrëmja e 10 marsit u kthye në një stacion kulturor në katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë ku u mbajt një koncert për ikonën e muzikës, Tefta Tashko Koçon. “Kënga ime ndaj nat’ here” erdhi me narrativë të Balina Bodinakut dhe kujdesit të saj ndaj kurimit të shfaqjes, ndërsa pjesë e kastit interpretues ishin sopranoja Renisa Laçka, tenori Denis Skura dhe pianistja Merita Rexha Tërshana.
Disa nga këngët më të famshme dhe të përzgjedhura u interpretuan në këtë mbrëmje speciale si “Dora dhe zemra”, “Zare trëndafile”, “Kur më vjen burri nga stani”, arie operash si “Mi chiamano Mimi”, etj. Këtë të fundit, pianistja Merita Rexha Tërshana e veçon gjatë bisedës në programin “Rudina” në Tv Klan pasi përkon edhe me vetë historinë e Tefta Tashko Koços.
Merita Rexha Tërshana: Pjesa, mendoj, të paktën ata njerëz që më kontaktuan pas koncertit dhe vërtet ishin emocionuar dhe kanë lotuar, ka qenë finalja kur Balina tregon sesi ajo në fund të jetës së vet, duhet të interpretonte Miminë që është nga opera “La Boheme” në Jugosllavi, në këtë situatën tonë Shqipëri-Serbi që është gjithmonë e pranishme dhe ajo duhet të nderonte sa më shumë vendin e vet e ndërkohë ishte e sëmurë dhe do të vdiste disa muaj më vonë. Ajo e dinte këtë se kishte bërë operacion e të gjitha dhe interpreton në mënyrë të shkëlqyer rolin e Mimisë, një personazh që vdes në fakt në opera. Këtë e kënduam si pjesë të fundit, arien e Mimisë me Renisën dhe njerëzit që e dëgjuan këtë histori dhe dëgjuan edhe historinë e Mimisë, kanë qarë aty. Është një histori e bukur.
Balina Bodinaku: Po, ka qarë gjithë salla dje me thënë të drejtën sepse ajo e dinte, ishte në fund të jetës së saj, ajo shkëlqeu në Beograd, por ajo kishte së paku 8 vite që e dinte që ishte e sëmurë nga një sëmundje që në atë kohë ishte një dënim me vdekje. E megjithatë, sikurse unë e tregoj edhe gjatë narrativës…
Rudina Magjistari: Çfarë sëmundjeje ka pasur?
Balina Bodinaku: Kancer në gji. Megjithëse ajo e dinte këtë gjë, në ato 8 vite, ajo bëri gjithçka: ajo u martua, lindi një fëmijë, shkoi nëpër koncerte në çdo cep të Shqipërisë për të çuar këngën shqiptare, ajo vijoi të na përfaqësonte denjësisht në skenat ndërkombëtare, ajo realizoi regjistrimet e para diskografike me një shtëpi të njohur të kohës duke dokumentuar materialin muzikor të mbledhur deri në atë kohë. Praktikisht në 8 vitet e fundit të jetës së saj ajo bëri gjithçka për të cilën sot kujtohet dhe nderohet./tvklan.al