Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka bërë të ditur se në mbledhjen e ministrave është miratuar një strategji e re lidhur me ekonominë dhe inovacionin.

Ibrahimaj bën të ditur se kjo strategji parashikon një plan masash për zhvillimin e sipërmarjes inovative duke mbështetur vizionin për të pasur një ekonomi e cila mbështet rritjen e inovacionit dhe inovacioni mbështet rritjen ekonomike.  

Delina Ibrahimaj: Në mbledhjen e sotme miratuam një strategji të rëndësishme për të përmbyllur kuadrin e vizionit tonë “Shqipëria 2030”. Strategjia e sipërmarrjes inovative 2025-2030 parashikon një plan masash që u miratuan për zhvillimin e sipërmarjes inovative duke mbështetur vizionin tonë për të pasur një ekonomi e cila mbështet rritjen e inovacionit dhe inovacioni mbështet rritjen ekonomike.  

Strategjia do të përqëndrohet në 6 sektorë të caktuar që janë të identifikuar në një tjetër strategji kombëtare. Është e përqëndruar në nxitjen e inovacionit në sektorë si turizmi, energjia, e bujqësia. Janë këto sektorë që kanë më shumë nevojë për rritje të produktivitetit dhe ne do të ndikojmë në rritjen e produktivitetit dhe me çeljen e tregjeve në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE.

Ndër të tjera ministrja Ibrahimaj përmendi edhe thirrjen për “Grant 2025” ku theksoi se afati i fundit i aplikimit është data 5 Janar.

Delina Ibrahimaj: Unë dua të rikujtoj që ditët e fundit të vitit do të jenë ditët e fundit që do të mund të aplikohet për thirrjen e “Grant 2025”. Është një fond i vënë në dispozicion të start up-eve dhe të lehtësuesve shqiptarë. Është një fond prej 300 milionë Lekësh dedikuar start up-eve. Gjatë vitit 2024 ne kemi financuar 94 start up-e. Thirrja për “Grantin 2025” mbyllët në datën 5 Janar në orën 12 të natës dhe ju bëj thirrje të gjithëve që të mos ta lejnë për momentin e fundit.

/tvklan.al