Kryeministri Edi Rama dhe dy ministrat Blendi Gonxhja e Delina Ibrahimaj kanë zhvilluar një bashkëbisedim me bizneset këtë të Martë. Shqetësim kryesor e detyrim madhor e cilëson Rama mos deklarimin real të pagave në vend.
Ai u shpreh se qeveria është e vendosur për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë pasi ky fenomen çon në atë që ai e emërton ‘grabitje e pensioneve’.
“Kemi një problem të madh me deklarimin e pagës reale që ne jemi shumë të vendosur ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual. Besojmë që kompanitë nuk do jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda admninistrative e me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Kjo është grabitje! Është fjalë shumë e rëndë, është një turp i madh, është një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese me një mungesë përgjegjshmërie që jam i sigurt që kur ju thua ose kur dëgjojnë fjalën grabitje mund të ndihen të fyer, por kjo është grabitje. Duam të përcjellim te ju dhe përmes ekranit të gjithë ata që I përkasin kategorisë së sipërmarrjes një shqetësim, apel dhe një ftesë për të krijuar një front të përbashkët në këtë punë”, tha Rama.
/tvklan.al