Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes është hapur ditën e sotme. I pranishëm në aktivitetin e hapjes së kësaj qendre ka qenë Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili vizitoi sot mjediset e reja të Qendrës, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe drejtues të lartë të Forcave të Armatosura dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Kryeministri Rama ka thënë se kjo shënon një tjetër faqe në modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Edi Rama: Mbase tingëlloj përsëritës, por dua ta rinënvizoj një bindje të plotë që inovacioni falë teknologjisë së lartë edhe gjithë përmbysjes epokale të historisë njerëzore përmes teknologjisë digjitale, është bekim për një vend si i yni. Një vend si i yni që vjen nga një prapambetje e thellë dhe duhet të bëjë çmos për të fituar kohën e humbur në kushtet e distancave të jashtëzakonshme që historia ka krijuar mes nesh dhe vendeve të tjera me të cilat deri dje s’kishim asnjë kontakt, ndërsa sot jemi të destinuar t’i shohim si familjen tonë të së nesërmes, na jep mundësinë që në një kohë të shkurtër të bëjmë kërcime të mëdha përpara, gjë që përpara 20 e nuk diskutohet, 30 vjetësh, do të ishte e paimagjinueshme.
Është një bekim, të cilin ne duhet ta marrim si një dhuratë të jashtëzakonshme të kohës në këtë pjesë të rrugëtimit tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë me të gjithë fuqitë tona pasi çdo hap që ne hedhim në këtë drejtim, na afron me një shpejtësi marramendëse me pjesën tjetër të botës së zhvilluar, madje inovacioni na jep mundësi që ne të synojmë gjëra, të cilat vende shumë më të zhvilluara, pikërisht se janë shumë më të zhvilluara dhe pikërisht për shkak se sistemet tona të munguara të organizmit të shtetit, i kanë të mirëstrukturuara, e kanë më të vështirë që t’i bëjnë dhe sot, më vjen shumë mirë që na jepet mundësia të ndajmë bashkë me publikun edhe ekzistencën e këtij realiteti të ri, një tjetër realitet i kësaj kohe ku ne po përpiqemi përgjatë gjithë frontit të qeverisjes, të nxisim inovacionin, të fusim teknologjinë, të transformojmë procese dhe të ndryshojmë një trashëgimi shumë të rëndë në aspektin institucional të këtij vendi.
Dhe kjo qendër, të cilës i bashkohet edhe Agjencia e re e Inovacionit dhe Ekselencës që ne kemi krijuar pikërisht për të pasur një forcë të brendshme lëvizëse në çdo dikaster qendror, në çdo ministri, është një bërthamë që premton shumë. Premton shumë dhe janë pikërisht vajzat dhe djemtë që sot takuam por është gjenerata e tyre që edhe në Shqipëri ka plot talente, të cilave kjo qendër i referohet përtej kufijve të perimetrit të Forcave të Armatosura, sikundër e theksoi edhe ministri, qëllimi është që FA-të tona, ushtria jonë, sistemi ynë i mbrojtjes të bëhet edhe një vatër e zhvillimit teknologjik përtej vetvetes, gjë që natyrisht është një shembull që ne nuk jemi të thirrur ta krijojmë, por thjeshtë ta marrim dhe ta zbatojmë duke parë shumë vende të tjera që tek mbrojtja, tek sistemi i mbrojtjes kanë një burim jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe produktiv për të gjithë zhvillimin teknologjik të vendit.
Të mos harrojmë që vete interneti, krijesën e vet ta parë e pati në sistemin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Paralelisht me këtë proces, ne po ecim edhe me procesin e rritjes dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë financiar të Forcave tona të Armatosura. Për herë të parë në trendin historik pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit, sikundër e kemi premtuar dhe do të rriten përsëri këtë vit në mënyrë përsëri të ndjeshme, sepse qëllimi ynë nuk është thjeshtë, dhe kjo është një pjesë e tij pa diskutim që ne të kemi një trupë ushtarake të financuar dhe të paguar individualisht për çdo efektiv të saj në mesataren e vendeve NATO-s, gjë që jemi duke e synuar çdo vit dhe praktikisht sot, ndryshe nga jo shumë vite më parë, ne kemi një ushtri që në aspektin e pagave është në nivelin A të rajonit.
Por kjo nuk është thjeshtë një mbështetje për atë që kemi sot, kjo është një mbështetje për atë që duam të kemi nesër. Dhe patjetër që duke parë këtë bërthamë kaq premtuese, vjen natyrshëm edhe nevoja për të rritur motivimin financiar të studentëve të Akademisë së Mbrojtjes, për të rritur motivimin financiar të nxënësve që e shikojnë mundësinë e një perspektivë në Forcat tona të Armatosura, dhe për më tepër për të gjithë ata studentë, qofshin në sistemin e mbrojtës, apo qofshin në sistemin e përgjithshëm universitar, që kanë diçka për t’i dhënë këtij vendi në këtë aspekt dhe që do t’i referohen kësaj qendre inovacioni së bashku me Agjencinë e Inovacionit të Ekselencës që do të jetë pranë saj, ne natyrshëm duhet të marrim masat tona edhe për motivimin financiar të tyre dhe nëse për ushtrinë në tërësi ky është një investim, për çka ushtria i garanton vendit në të përditshmen e vet për këtë pjesë të sistemit që ka të bëjë me inovacionin, ky është një investim, i cili do të mjaftonte një nga shumë e shumë përpjekjet që do të bëhen këtu për të pasur një sukses përtej kufijve të Shqipërisë për të mbuluar të gjithë shpenzimet tona.
E them këtë jo për të qeshur, por për të buzëqeshur dhe nga ana tjetër unë e di që ministri nuk është nga Gjirokastra, është nga Korça, por nuk është se janë shumë larg me njëra-tjetrën Korça me Gjirokastrën kur vjen puna te nikoqirllëku në raport me financat dhe patjetër që do ta sigurojë anën e ministrisë dhe të shtetit që të gjithë ata që do të marrin këto motivimet financiare të jenë në një kontratë që në rast të një suksesi të pritshëm dhe të befasishëm të mos largohen duke i marrë të gjitha për vete.
Tjetra që dua të theksoj sot është që për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për t’iu përgjigjur këtij niveli të ri të angazhimit që ne kemi në bazë të vizionit tonë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2030, një strategji e re ushtarake dhe një plan i ri i zhvillimit afatgjatë të Forcave të Armatosura janë tanimë gati dhe do t’i nënshtrohen procesit të ligjvënies në Kuvend. Ndërkohë që po përgatisim edhe platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake. Një platformë që sot është koha për ta përfshirë në gjithë trupin legjislativ të Republikës të Shqipërisë dhe pastaj mbi të, për të nisur një valë investimesh në industrinë e mbrojtjes, duke e bërë Shqipërinë një vend që, jo vetëm konsumon atë që taksapaguesit japin në aspektin e mbrojtjes, që jo vetëm vë në dispozicion të Forcave të Armatosura instrumente, mjete, armë të importuara, por edhe që përmes industrisë së mbrojtjes nxjerr fitime të cilat shkojnë në funksion të mbrojtjes përsëri dhe përmes industrisë së saj ushtarake, arrijnë që të furnizojë me prodhime të këtushme sigurisht në bashkëpunim me sipërmarrje të mëdha, serioze të vendeve aleate, nevojat e Forcave tona të Armatosura.
Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’. Për këtë jemi me fat për hir të së vërtetës sepse jemi një vend i vogël po kemi aleatë të mëdhenj. Vendet më të përparuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë, jo vetëm të gatshme, por dhe të interesuara t’i shikojnë sipërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunime me shtetin shqiptar dhe nga ana tjetër, e gjithë qasja jonë e re në aspektin e këtyre bashkëpunimeve, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, është që shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij. Kjo është qasja jonë të cilën na e mundëson kjo kohë që kemi sjellë për hir të së vërtetës.
Dëgjoj shpesh herë që për shumëçka është arritur, njerëzit dhe njerëz me zë të lartë publik thonë e solli koha. Koha sjell vetëm vetveten! Ndërkohë që çfarë ajo sjell me vete, përcaktohet nga njerëzit dhe të gjitha këto zhvillime pozitive që na vendosin sot në kushtet ku ne mund ta shikojmë Shqipërinë e vitit 2030 si një “star” në këtë rajon, i ka sjellë politika e cila është vënë në shërbim të kohës, e cila ju ka dhënë shumë më tepër mundësi atyre që pa të cilët nuk mund të ketë zhvillim sepse jetojmë në një sistem demokratik me një ekonomi të sipërmarrjes së lirë dhe e cila është furnizuar në vijimësi nga një vizion transformues për Shqipërinë.
Sot kemi një muze këtu të ushtrisë, unë kisha pritur që Niko të më ftonte për çeljen, por e ka pasur të kursyer atë koktejin e çeljes, por unë me shumë kënaqësi e dëgjova sot që tha se sidomos në fundjavë ky muze ka shumë frekuentues dhe me këtë rast, për ata që na ndjekin, u them që të vijnë ta vizitojnë muzeun tonë të ri të Mbrojtjes, që është një atraksion i ri kulturor dhe turistik për Tiranën pa diskutim dhe që është një hapësirë që patjetër do të jetësohet në vijim me ekspozita të përkohshme, me aktivitete të ndryshme e kështu me radhë.
Në fund, por jo për nga rëndësia dua të them që çka pamë sot dhe çka sot disponojnë na jep mundësinë që të përfytyrojmë se në një kohë të shkurtër, një pjesë të rëndësishme të inspektimeve ne do të mund t’i bëjmë, më në fund, pa njerëz në terren, por me sy nga lart falë dronëve Bayyraktar, falë koordinimit që po bën Ministria e Mbrojtjes dhe disponimit të Shtabit të Përgjithshëm, ku institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me inspektimet më të rëndësishme në territor janë vënë në kontakt dhe po përgatisin protokollet e punës për të pasur një supervizim të vazhdueshëm dhe të pagabueshëm për territorin në aspektin e mbetjeve, në aspektin e ujërave, në aspektin e tokës bujqësore, të parcelave të punuara, të parcelave të papunuara, në aspektin e ndërtimeve, në aspektin për ligjin në ndërtim dhe ndërtimet pa leje dhe kështu një tjetër pjesë e llumit të korrupsionit, që është produkt i shkallës së modernizimit, do të largohet nga jeta e përditshme institucionale dhe nga jeta e përditshme ekonomike dhe sociale e vendit, siç është larguar një pjesë e madhe e atij llumi falë gjithë shërbimeve që prej disa vitesh ofrohen sot online përmes portalit “e-Albania”. Siç do të largohet një pjesë tjetër e atij llumit përmes reformës tërësore që po bëjmë në sistemin e prokurimeve, nga njëra anë me krijimin e një operatori kombëtar të shërbimit të prokurimeve, në bashkëpunim me agjenci të mirënjohura ndërkombëtare që bazohen në praktikat më të mira të prokurimit dhe nga ana tjetër me sistemin e ri të Inteligjencës Artificiale që po punon së bashku me Microsoft-in për ta vënë në dispozicion të sistemit të prokurimeve dhe kështu për të larguar përfundimisht nga sfera e mbipopulluar me komisione dhe komisionerë prokurimesh pasojat e padijes, pasojat e ryshfetit, pasojat e papërgjegjshmërisë që sjellin natyrisht me vete edhe dëmet e tyre, kur vjen puna për integritetin e fondeve publike dhe financave të shtetit.
Në fund, por jo për nga rëndësia, më vjen jashtëzakonisht mirë që sot ushtria, që sot territori i Mbrojtjes, sektori i Mbrojtjes, zona e ndaluar ushtarake që gjithmonë është parë si një pjesë e cila na garanton nga agresionet e jashtme, por që nuk ka ndërveprim me zonat e tjera, po kthehet në një destinacion që do të jetë gjithmonë e më i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi në aspektin e zhvillimit teknologjik, në aspektin e inovacionit dhe patjetër në aspektin e krijimit të gjithmonë e më shumë realiteteve ku punësimi i mirëpaguar do të jetë baza e zhvillimit të atyre realiteteve.
Shumë faleminderit dhe faleminderit në mënyrë të posaçme të gjithë partnerëve që sot ishin të pranishëm, larmia e të cilëve dhe profili i të cilëve tregon vetë se çfarë mozaiku krijohet dhe se sa i larmishëm dhe i gjerë mund të jetë ky mozaik kontributesh që ka si referencë një ish repart të lodhur ushtarak, i cili është transformuar në një realitet estetik dhe në një realitet teknologjik shumë domethënës.Komplimente zoti ministër, me shpresën që nikoqirllëku do zgjerohet, por me bindjen që gjithë ky kontribut dhe punë që nuk do ishte e mundur pa lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes, do të sjellë dhe zgjerimin e mëtejshëm të mundësive për më të rinjtë dhe patjetër të mundësive për mbarë vendin, falë kontributeve që do të vijnë nga këto realitete të reja.
Kjo qendër, e cila u inaugurua sot i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-ve. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje./tvklan.al