Forcat policore u përballën me një pamje të tmerrshme kur shkuan në vendin e aksidentit, në afërsi të fshatit Kuqar të Këlcyrës. Buzë lumit Vjosë kishte disa kufoma. Të tjerë persona kishin mbetur brenda mjetit tip Benz që ishte shkatërruar tërësisht. Nxjerrja e trupave ishte tepër e vështirë dhe u kërkua edhe ndihma e forcave zjarrfikëse.
Disa orë më pas të gjithe trupat u larguan nga vendi i ngjarjes për tu transportuar drejt morgut në kryeqytet për ekspertizë dhe kryerjen e autopsisë. Për shkak të shtetësisë së huaj, identifikimi i 7 emigrantëve ishte i vështirë pasi nuk dihet se nga cili shtet janë kontretisht. Sipas prokurorisë do të punohet me ambasadat për të bërë të mundur identifikimin e tyre.
Për aksidentin tragjik reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai shprehu keqardhjen për ngjarjen ndërsa thotë se aksidenti ka ndodhur në përpjekje për t’i shpëtuar policisë. Balla deklaron gjithashtu gatishmërinë e autoriteteve për të goditur çdo rast të trafikimit të qenieve njerëzore.
Klan News