“Nuk i kam hequr, por unë i kam përzënë”, ka qenë kjo përgjigja e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, lidhur me mbrojtjen e Gardës së Republikës që i takon si ish-President.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta ka dhënë edhe arsyet e këtij vendimi teksa shton se të punosh me një ish-President, askush nuk duhet ta dijë se ku shkon ky i fundit.

Blendi Fevziu: A është e vërtetë që ju keni hequr mbrojtjen e Gardës së Republikës që si ish-President ju takon për 5 vjet?

Ilir Meta: Të them të drejtën unë nuk i kam hequr ata, unë i kam përzënë.

Blendi Fevziu: Pse i ke përzënë?

Ilir Meta: Sepse të punosh me një ish-President duhet të jesh shumë korrekt, duhet të jesh shumë i kujdesshëm dhe askush nuk duhet të dijë se ku shkon dhe me kë takohet Presidenti i Republikës sepse një njeri që kërkon të dijë se ku shkon, kë takon Presidenti, ai dëshiron të marrë kontrollin e aktivitetit dhe veprimtarisë së tij. Kjo është arsyeja pse unë i kam përzënë ata. Unë i kam respektuar shumë, por kjo mungesë besnikërie, aq më tepër nuk mund të rrish ti në një ambient me Blendi Fevziun, ku Blendi Fevziu flet keq për Ilir Metën. 

/tvklan.al