Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ilirian Celibashi, ish-zëvendës ministër i Rendit në kabinetin Majko është zgjedhur kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor. Pas votimit të fshehtë të shtatë komisionerëve, Celibashi fitoi 5 vota, duke zënë vendin e ish-kryetarit Fotaq Nano, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar. Pas shpalljes së rezultatit, kryetari Celibashi garantoi partitë politike dhe organizmat ndërkombëtar për ndershmëri dhe transparencë në organizimin e zgjedhjeve parlamentare.
Ilirian Celibashi, Kryetar i KQZ:- “Gjej rastin që të sigurojë edhe faktorin ndërkombëtar, përfaqësuesit e tyre në Shqipëri, besoj këtë e them dhe në emër të kolegëve të mi, që KQZ, do të ketë gjithë vullnetin, për të bashkëpunuar me ta, për të arritur qëllimin e përbashkët që zgjedhjet të zhvillohen mbi bazën e një procesi të rregullt”.
Pas zgjedhjes së kryekomisionerit Celibashi, KQZ ka votuar Gaspër Kokaj në postin e nënkryetarit. Me zgjedhjen e drejtuesve të rinj të KQZ, mbyllet në një farë mënyre kapitulli i dorëheqjeve në këtë komision. PS u ka bërë thirrje komisionerëve të mbetur Koka, Shimani, Zguri e Varfi, të japin dorëheqjen. Ndërsa PD, ka kërkuar një formulë të re për KQZ mbi bazën e konsensusit politik./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame