Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, kanë zgjedhur të urojnë shqiptarët për ditën e verës nga “Pazari i Ri”, i cili çeli dyert pas transformimit rrënjësor që pësoi me investimin e 6,5 milionë eurove.
Pasi vizituan thuajse të 308 bizneset dhe vendosën veroren simbol të kësaj dite, ata u ndalën tek ndryshimi që pësoi pazari i ri, ndryshim që sipas tyre erdhi nga fuqia e votës. Veliaj shigjetoi edhe çadrën e opozites.
Kryeministri Rama e shfrytëzoi këtë rast për t’u treguar qytetarëve ndryshimin mazhorancës qe përfaqëson dhe opozitës, që sipas tij, me çadrën e ngritur në bulevard po mbron gjykatësit e prokuroret e korruptuar.
“Si është njësoj, kjo çadër këtu, me çadrën atje? Si janë njësoj këta njerëz të zakonshëm, që sot fillojnë punë këtu në kushte fantastike, për të ushqyer me punën e tyre të ndershme familjet dhe ata të tjerët, disa qindra metra larg, që u thonë të papunëve mblidhuni me ne, që të mbajmë në punën gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”
Inaugurimi i pazarit të ri, ishte vetëm starti i festimeve për ditën e verës. Si çdo vit dhjetar aktivitete, u vendosën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhe sheshin “Nënë Tereza”.
Kryeministri Rama vizitoi edhe Elbasanin, kryeqendrën e kësaj feste.
“Kënaqësi e veçantë, nga Tirana e “Pazarit të Ri” të rilindur në Elbasan, ku po përfundon parku i ri i portokallëve të qytetit, në një ditë feste, që traditën e saj e ka këtu në këtë qytet, banorëve të të cilit, por dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, u uroj gëzuar dhe sa më shumë mbarësi!”/ TV KLAN