Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer për rigjykim dosjen për inceneratorin e Fierit. Do të jetë një tjetër trupë gjykuese që do të marrë në shqyrtim dosjen për sa i përket të pandehurve që janë pjesë e kësaj çështjeje. Kjo është hera e parë që shkalla e dytë e Gjykatës së Posaçme kthen një vendim të miratuar nga shkalla e parë. Ky vendim nuk ndikon në shuarjen e masës së sigurisë ndaj të pandehurve.

Dënimet që u rrëzua këtë të enjte u dhanë më 25 Shtator të vitit 2023. Ishte shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme që dënoi me 6 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, me 2 vite e 8 muaj ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa 10 të pandehur të tjerë morën dënime të ndryshme.

Për këtë dosje u shpallën të pafajshëm 3 të pandehur, për të cilët SPAK kërkoi në Apelin e Gjykatës së Posaçme t’i dënonte. Avokatët e Abren Dervishaj, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra kërkuan që të lihet në fuqi pafajësia e tyre, por Apeli vendosi të mos pranojë as kërkesën e tyre dhe as të SPAK, duke e kthyer çështjen edhe një herë nga e para.

Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës, së nëpunësve që kryen detyrë publike dhe shpërdorimit të detyrës të funksionarit të lartë shtetëror apo dhe korrupsion.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën në Dhjetor 2022. Sipas SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë Euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë Lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit. Të gjithë të akuzuarit mohuan akuzat e SPAK dhe kërkuan pafajësi në të dyja shkallët e gjyqësorit.

Klan News