Në 19 Dhjetor ora 14:00, Gjykata e Posaçme e Apelit do të shpallë vendimin për dosjen e inceneratorit të Fierit. Këtë të mërkurë ministri Lefter Koka kundërshtoi akuzat e SPAK dhe nëpërmjet avokatit të tij Julian Mërtiri, kërkoi pafajësi.

Ai mohoi të kishte shpërdoruar detyrën, duke argumentuar se nuk kishte ndikuar as kishte kompetenca në procedurat koncensionare. Rrjedhimisht sipas mbrojtjes, nuk kishte as arsye pse të korruptohej nga biznesmeni Klodian Zoto.

Më tej, Koka mohoi gjithashtu të ketë pastruar para duke rrëzuar pretendimet e SPAK se e kishte marrë ryshfetin nëpërmjet disa transaksioneve me fatura fiktive.

Por SPAK nga ana tjetër, thotë se ka të provuar fajësinë e tij, të ish-deputetit Alqi Bllako dhe 14 personave të tjerë të gjykuar në ketë proces nëpërmjet dëshmive dhe të dhënave të gjetura në kompjuterin e Zotos.

Shkalla e Parë dënoi 12 të pandehur në këtë dosje me 45 vite burg në total, mes të cilëve ish-ministrin me 6 vite e 8 muaj burg, Bllakon 2 vite e 8 muaj dhe dënimin më të lartë për biznesmenin Klodian Zoto me 8 vite burg.

Më herët, Apeli shpalli vendimin për dosjen tjetër të inceneratorit, atë të Elbasanit.

Ndërkohë në seancë paraprake, ndodhet dosja tjetër për inceneratorin e Tiranës, ku SPAK kërkon gjykimin e 11 ish-zyrtarëve për shpërdorim detyre.

Tv Klan