Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rikthyer për rigjykim në Shkallën e Parë çështjen e inceneratorit të Fierit, duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë.

Bëhet fjalë për vendimin e 25 Nëntorit 2023, ku Gjykata e Posaçme gjeti fajtor 12 të pandehur, mes të cilëve dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Po për këtë çështje, 3 të prej të akuzuarve fituan pafajësi.

Ndërkohë, ish-ministri u dënua me 10 vite burgim, por që për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 6 vite e 8 muaj. Me të njëjtën formulë përfitoi dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Alqi Bllako, i cili në fund u dënua me 2 vite e 8 muaj burg.

Me vendimin e marrë këtë të enjte nga Apeli i Posaçëm, dosja pritet të shqyrtohet nga një trupë tjetër gjyqësore të Shkallës së Parë që do të caktohet me short.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën në Dhjetor 2022. Sipas SPAK, për  inceneratorin i Fierit u paguan 4 milionë Euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë Lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

Të gjithë të akuzuarit mohuan akuzat e SPAK dhe kërkuan pafajësi në të dyja shkallët e gjyqësorit.

Tv Klan