Ndërpritet kërkimi për një anëtar të ekuipazhit të zhdukur nga një anije mallrash që u përplas me një cisternë nafte në Detin e Veriut.

Në një deklaratë, rojet bregdetare bëjnë të ditur se përpjekjet për të gjetur personin nga anija e kontejnerëve Solong kishin përfunduar pas një kërkimi të gjerë. 

Dhjetra njerëz braktisën anijet pas përplasjes pak para mëngjesit të së hënës, ndërsa rojet bregdetare shpëtuan 36 persona. 23 persona ishin në bordin e cisternës së naftës Stena Immaculate dhe 14 anëtarët e ekuipazhit ishin pjesë e bordit të anijes së mallrave Solong, ku njëri prej tyre u zhduk.

Kompania detare që menaxhon Stena Immaculate bëri të ditur se anija u godit nga Solong ndërsa ishte ankoruar në brigjet e Hull. Sipas BBC në bordin e anijes që transportonte karburant shpërtheu një zjarr si pasojë e çarjes së një serbatori, i cili vazhdoi edhe në orët e para të së martës.

Ndërkaq, autoritetet janë duke monitoruar situatën dhe për të ndalur ndikimin mjedisor të kësaj përplasjeje.

Solong mbante 15 kontejnerë me cianid natriumi, i cili është një kimikat toksik. Kjo e fundit me flamur amerikan ishte e marrë me qera. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk kishte asnjë indikacion për ndonjë aktivitet keqdashës ose aktorë të tjerë të përfshirë në incident. 

Hetuesit janë vendosur në terren ku po mbledhin prova për të përcaktuar shkakun e vërtetë të përplasjes.

Sipas MarineTraffic, Stena Immaculate kishte udhëtuar nga porti grek i Agioi Theodoroi dhe ishte ankoruar në grykëderdhjen Humber, ndërsa Solong kishte lundruar nga porti skocez i Grangemouth për në Roterdam, në Holandë.

Klan News