Më shumë se gjysma e tyre e shohin të ardhmen larg këtij profesioni
Sipas një sondazhi të ri, infermierët e rraskapitur dhe të mbingarkuar nga pandemia, po vazhdojnë të punojnë rregullisht me turne 12-orëshe për të mbajtur në këmbë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) në Britaninë e Madhe.
Sondazhi, i cili përfshiu 9 000 infermierë, zbuloi se shumë po mendojnë të lënë punën pasi janë të pakënaqur.
Disa prej tyre u shprehen se punojnë me turne 12-orëshe dhe një e treta nuk kanë mundur të marrin pushimet e tyre vjetore ndërsa besojnë se kjo është e dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Ndërkohë, përballë mungesës së stafit dhe presionit të ngarkesës së punës, 68% raportuan se ndihen nën një presion të lartë në punë. Nga ata që kishin punuar kur nuk ishin mirë, 67% thanë se kjo ishte për shkak të stresit dhe 38% thanë se kjo ishte për shkak të problemeve të shëndetit mendor.
Sondazhi, i cili u krye në tetor përpara se Omicron të godiste vendin zbuloi se tre në katër infermierë punojnë rregullisht përtej turneve të tyre ku shpesh nuk paguhen për orët shtesë të punëve. Më shumë se gjysma e infermierëve në Mbretërinë e Bashkuar e shohin të ardhmen e tyre larg këtij profesioni.
Klan News