Arrin në 5.1%. BQE e kishte planifikuar dy herë më të ulët për Janarin
Inflacioni në Eurozonë shënoi papritur rekord historike në Janar. 5.1% është niveli i arritur muajin e parë të këtij viti, 0.1% më shumë se 3-mujori i fundit i vitit të kaluar, duke kapërcyer çdo parashikim të ekspertëve të Bankës Qëndrore Europiane, të cilët kishin përllogaritur rënie në kuotat normale të 2%-shit në muajt e parë të këtij viti.
Rritja e madhe më shumë se 5% e çmimeve të konsumit konsiderohet si shkaku kryesor i kësaj rritjeje jashtë çdo parashikimi, të inflacionit. Ekspertët thonë se çmimet e energjisë që pësuan rritje të paprecedentë nga mesi i vitit të kaluar, ndikuan në rritjen e lëndëve të para ushqimore dhe të shërbimeve. Një tjetër faktor është edhe pandemia e COVID-19, që çrregulloi tregun e punës, duke shkaktuar vonesa të theksuara në prodhimin e ushqimeve.
Ekspertët e Bankës Qëndrore Europiane do të zhvillojnë të enjten një mbledhje urgjente, ku do të diskutojnë për masat që do të ndërmerren. Por e përditshmja prestigjioze me profil ekonomik si Financial Times dhe Reuters shkruajnë se edhe një herë Banka kryesore e hapësirës së përbashkët ekonomike europiane i bëri si jo rrallëherë gabim parashikimet, kur kishte përllogaritur se rritja e çmimeve ishte e përkohshme.
Tv Klan