Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin Maj 2024, krahasuar me Prillin e këtij viti ka shënuar vlerat 2.2%, duke rezultuar me rritje prej 0.1% referuar të dhënave të Institutit të Statistikave në publikimin e fundit. Ndërsa një vit më parë inflacioni ishte në vlerat e 4,7%.
Referuar INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,69%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,42 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,28% nënvizon INSTAT në publikimin e fundit për muajin Maj.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore, krahasuar me muajin Maj 2023, brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,6%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3,6% dhe me 2.3% nëngrupi “mish”.
Nga ana tjetër java ka nisur negative për monedhën europiane Euro, pasi është zhvlerësuar ndjeshëm në tregun e këmbimit valutor.
Referuar këtij të fundit 1 Euro është këmbyer në blerje në kufijtë e 99.8 Lekëve, ndërsa në shitje është këmbyer me rreth 100.6 Lekë.
Prej rreth 1 viti monedha Euro ka qenë shumë e brishtë përballë monedhës vendase Lekë, ku nuk kanë munguar rastet kur është këmbyer në tregjet valutore në kufijtë e 100 Lekëve. Sipas eksperteve duke qenë se jemi në nisje të sezonit turistik, Euro do vijojë të jetë e dobët përballë Lekut, për shkak të qarkullimit të madh të monedhës europiane dhe prurjeve nga turistët.
Klan News