Instagram po prezanton disa ndryshime në sistemin e renditjes për të nxjerrë në pah përmbajtjet origjinale të krijuara nga llogaritë e vogla. Platforma thotë se prej kohësh, përdoruesit me shumë ndjekës dhe llogaritë që shpërndajnë ripostime janë parë më shumë.
Tani po kërkon një mënyrë me ndryshimet e reja që do të implementohen në muajt e ardhshëm për t’u treguar i barabartë me të gjithë përdoruesit.
Ndryshimi po bëhet pas disa muajve me kritika që përdoruesit kanë patur ndaj platformës ku janë shprehur se janë ndikuar negativisht nga algoritmi.
Me renditjen e re, llogaritë me më pak ndjekës do të kenë më shumë shpërndarje, ripostimet do të zëvendësohen nga përmbajtjet origjinale te rekomandimet, do të shtohen etiketa dhe llogaritë që shpërndajnë vetëm përmbajtje nga të tjerët (llogari agregate) nuk do të rekomandohen.
Instagram thotë se rekomandimet do të shfaqin përmbajtje për një audiencë të vogël që mendohet se do ta pëlqejë. Pasi njerëzit të ndërveprojnë, Reels më të klikuar do t’i shfaqen një audience më të gjerë, më të suksesshmit e këtij grupi do t’i rekomandohen edhe më shumë përdoruesve e kështu me radhë.
Instagram mendon se ky ndryshim do u japë të gjithë përdoruesve një mundësi të barabartë për të marrë audiencë.
Nëse Instagram gjen dy ose më shumë postime identike në Instagram, do të rekomandojë vetëm origjinalin. Postimi origjinal do të zëvendësojë të ripostuarin në rekomandimet e aplikacionit. Platforma thekson se nuk do të zëvendësohen përmbajtjet që janë ndryshuar dukshëm.
Si rrjedhojë, Instagram nuk do të zëvendësojë përmbajtjet që janë ndryshuar për t’u kthyer në postime humoristike. Përmbajtjet do të zëvendësohen vetëm në hapësirat e rekomandimit si Explore, Reels dhe rekomandimet e shfaqura në faqet kryesore.
Ripostimet do të kenë etiketa që do t’i lidhin përdoruesit me postimin origjinal. Etiketa do të jetë e dukshme për ndjekësit e llogarisë. Momentalisht, krijuesi i postimit ose llogaria që e riposton ka opsionin që ta heqë etiketën. Është e mundur që në të ardhmen Instagram nuk do ta lejojë më këtë.
Në muajt e ardhshëm, llogaritë që postojnë vazhdimisht përmbajtje të përdoruesve të tjerë nuk do të shfaqen në rekomandime. Megjithatë, kjo nuk do të prekë shfaqjen e tyre ndaj ndjekësve të llogarisë agregate./tvklan.al