Gjatë periudhës Korrik deri në Shtator, sipas të dhënave të INSTAT, kostot në sektorin e ndërtimit ngadalësuan rritjen. Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e tretë 2024 arriti 112,3, kundrejt tremujorit të katërt 2021, e cila merret si periudha bazë.

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2024 ishte 1,6%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2%. Sipas INSTAT, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 3,2%, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 3,1%, “Shpenzime energjie” me 2,9%, “Kosto të tjera” me 2%, dhe me 1,5% “Shpenzime makinerie”.

Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,1%.

Sektori i Ndërtimit vijon të mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në rritjen ekonomike të vendit tonë përgjatë viteve të fundit. Në këtë sektor vihet re edhe fluks i lartë ndërtimesh, por njëkohësisht edhe kërkesë e lartë në treg, duke ndikuar gjithashtu edhe në rritjen e çmimit të banesave e apartamenteve.

Klan News