Uashingtoni parlajmëron se Ballkani Perëndimor rrezikon të destabilizohet nga konflikte të nxitura nga vende që kanë interes të kontrollojnë rajonin si Rusia. Ky është thelbi i shqetësimit që ngrihet për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, në raportin më të fundit të Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Ballkani Perëndimor me shumë mundësi do të përballet me rrezikun e shtimit të dhunës ndëretnike gjatë vitit 2024. Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të thellojnë tensionet për qëllime politike. Faktorë të jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat e BE-së apo në ato euroatlantike.”
Raporti sjell në kujtesë se si shkëndijë për këtë mund të shërbejnë përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës gjatë vitit të kaluar që çuan në viktima dhe të plagosur, ndër të cilët edhe trupa paqeruajtësish të NATO-s.
Zbulimi amerikan konstaton se edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik po ndërmerr veprime drejt shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnja, çka mund të çojë në përplasje me etnitë e tjera. Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare është zyrë e posaçme e administratës amerikane, që përfshin të gjitha shërbimet e zbulimit si CIA e FBI.
Tv Klan