Në një atmosferë festive, Interi u dhuroi tifozëve zikaltër një tjetër fitore në Serie A. Skuadra e Simone Inzagit mundi Torinon me rezultatin 2-0.
Interesimi ishte i madh për të qenë në “San Siro” për festën për kampionët e sapo shpallur të Italisë. Në shkallët e stadiumit ishin 71,686 spektatorë. Sfida nisi me nderimin që futbollistët granada u bënë kampionëve.
Pjesa e parë u mbyll pa gola. Në nisje të së dytës, torinezët ngelën me 10 futbollistë, pasi Tameze kreu faull ndaj Mikitarian dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Në të 56’, rezultati u zhbllokua me Çalhanoglu, që finalizoi pas asistit të armenit. 4 mintua më pas, mesfushori turk shënoi rrjetën e dytë, pasi u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit.
Rekord për Çalhanoglu në Serie A që shkon në 16 gola radhazi të realizuar me penallti. Një tjetër sukses për Interin që synon ta mbyllë vitin duke thyer rekordin e ekipit të Mançinit me 98 pikë të grumbulluara.
Klan News