Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli në konferencë për shtyp, në prag të derbit ndaj Milanit në kampionat.
Inzaghi deklaroi se ekipi i tij shpenzoi shumë në mesjavë ndaj Manchester City-t, por sipas tij në derbi gjen energji, që më parë nuk i dije.
Tekniku zikaltër, theksoi se nuk mendon ndeshjet e fituara më parë, sepse i përkasin të kaluarës. Ai kërkon përqendrim maksimal nga skuadra dhe asnjë nënvlerësim, duke përmendur fitoren që skuadra kuqezi mori ndaj Venezia-s në kampionat një javë më parë.
“E dimë se çfarë loje do të gjejmë. Të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson derbi për ne, për klubin, për tifozët tanë. Do të duhet një Inter i veçantë, sepse pas ndeshjes që luajtëm në Evropë shpenzuam shumë energji fizike dhe mendore. Por ndonjëherë në ndeshje si derbi gjen energji që as e kishe menduar se i kishe.
Sezoni sapo ka filluar, nuk ka nevojë të mendojmë për derbit e kaluar. Janë kujtime të bukura, por kujtimet nuk sjellin pikë dhe gola. Do të luajmë kundër një ekipi që ka lojtarë të shkëlqyer. Milani luajti një ndeshje të shkëlqyer kampionati kundër Venezia-s, por në vend që të mendoj për Milanin, unë mendoj për ekipin tim. Ne do të duhet të luajmë një ndeshje me vendosmëri të madhe, sepse derbit shkojnë përtej parashikimeve dhe çdo detaj do të jetë thelbësor.
Nuk duhet të ketë nënvlerësim. Do të gjejmë një Milan që ka bërë një ndeshje të shkëlqyer kundër Venezia-s në kampionat. Më pas humbën kundër Liverpool-it, por nuk mendoj se si do ta gjej Milanin, mendoj se çfarë do të duhet të bëjmë. Do të nevojitet shumë vrap, agresivitet dhe vendosmëri.”, deklaroi Inzaghi.
Ndeshja mes Interit dhe Milanit, do të luhet këtë të diel në stadiumin “San Siro”, në orën 20:45. /tvklan.al