Trajneri Simone Inzagi është i kënaqur me paraqitjen e Kristjan Asllanit tek Interi. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare ishte në fushë për 72 minuta në përballjen kundër Sparta Pragës, të fituar nga zikaltrit.
Tekniku analizoi ecurinë e 22-vjeçarit, i cili është në qendër të vëmendjes nga tifozët e mediat.
“Ai po krijon një personalitet të madh, nuk është e lehtë për askënd të zëvendësojë Calhanoglu. Ai po e bën mirë, me vazhdimësi të paraqitjeve. Nuk kisha dyshime, ai ka besimin e të gjithëve ne. Ne jemi të lumtur që e kemi!”, tha Simone Inzaghi.
Pas takimit, mesfushori kuqezi shprehu kënaqësinë për tri pikët e marra.
“Duhet që të vinim këtu dhe të bënim atë çfarë bëmë! Sollëm në shtëpi tri pikët, që kishin rëndësi! Mungon diçka, por jemi të lumtur! Më bën mirë që të aktivizohem sepse kam qëndruar gjatë në stol! Kështu që këto minuta më ndihmojnë! Jam i lumtur që mbaj veshur këtë fanellë sepse është e rëndësishme e do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Por jam shumë i përqëndruar ndeshje pas ndeshjeje”, tha Kristjan Asllani.
Në këtë sezon, në Ligën e Kampioneve, mesfushori i Shqipërisë është aktivizuar në 4 takime me në total 134 minuta.
Ndërsa në Serie A, Asllani ka luajtur në total 511 minuta në 12 takime në këtë sezon.
Klan News