Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme këtë të hënë.

Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se sipas informacioneve, Çuko ka shkuar në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni me çështjen e 21 Janarit, pasi ka qenë një nga organizatorët e protestës.

Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, Çuko tha se aty janë vrarë katër njerëz dhe drejtësia duhet të shkojë në vend.

“Në cilësinë e atij që ka pasur dijeni. Janë vrarë katër veta ju e dini shumë mirë. Janë katër veta që janë vrarë në bulevard dhe nuk mund të lihen kaq kollaj në arrest”, tha Çuko.

Kujtojmë se në lidhje me këtë çështje kanë qenë të shumtë deputetët, ish-deputetët dhe zyrtarë të kohës që kanë dhënë deklarime.

Kujtojmë se SPAK ka nisur veprimet hetimore në lidhje me këtë çështje pasi Gjykata e Lartë i vendosi kompetencën.

Një nga detyrat që i ka lënë gjykata është të pyesë të gjithë organizatorët e kësaj proteste si dhe gjithë zyrtarët që kanë pasur detyrë menaxhimin e protestës.

“Do të shohim pasi pritet të vijnë edhe ish-funksionarë të tjerë të PS-së, por emrat që pritet të jenë në dyert e SPAK është zoti Rama në cilësinë e kreut të PS i cili pritet të thirret nga SPAK në cilësinë e një prej organizatorëve dhe të vijë e të japë shpjegime, zoti Berisha në cilësinë e kryeministrit dhe Lulzim Basha në cilësinë e ministrit të Brendshëm të kohës”, raportoi gazetarja Glidona Daci./tvklan.al