Ligjvënësit gjeorgjianë zgjodhën Mikheil Kavelashvilin, si presidentin e ri të vendit, mes protestave të mëdha kundër qeverisë për ndalimin e bisedimeve me Bashkimin Europian. 53 vjeçari Mikheil Kavelashvili, një ish-deputet dhe një ish-futbollist i Manchester City u zgjodh nga partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe ishte i vetmi kandidat për këtë detyrë. 224 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të Gjeorgjisë votuan pro tij. Ndërsa opozita e bojkotoi këtë proces.
Pavarësisht temperaturave të ulëta turma të mëdha protestuesish, u mblodhën jashtë parlamentit për të kundërshtuar vendimin. Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë në largim, Salome Zourabichvili ka dënuar zgjedhjen e Kavelashvilit. Ndërsa kryeministri Irakli Kobakhidze ka akuzuar Zourabichvilin për përpjekje për të dëmtuar interesat e Gjeorgjisë.
Kavelashvili është një udhëheqës i Pushtetit Popullor, i njohur për retorikën anti-perëndimore, dhe ishte bashkautor i një ligji për agjentët e huaj që kërkon që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si agjentë. Gjeorgjia ka qenë për dekada si një nga shtetet më pro-perëndimore dhe demokratike, por marrëdhëniet me Perëndimin janë përkeqësuar këtë vit.
Çdo natë, rruga kryesore jashtë parlamentit mbushet me protestues të veshur me flamuj të BE-së, duke kërkuar zgjedhje të reja, ndërsa më shumë se 460 persona janë arrestuar.
Tv Klan