Mjekja: Shtyrja në kohë e vaksinimit ul nivelin e mbrojtjes së fëmijëve
Deri në fillim të muajit Mars, Instituti i Shëndetit publik ka konfirmuar 34 raste me fruth, nga mosha 0-38 vjeç. Por shumica e të të infektuarve janë fëmijë të grupmoshësh 5-9 vjeç. Mjekia pediatre Evgjeni Kaçaj pranë qendrës shëndetësore nr.2 thotë se fëmijët që ka patur të infektuar kanë qenë të pavaksinuar, por fatmirësisht nuk kanë patur pasoja të rënda.
“Ne patëm një rast që u friksuam ku ishte rasti i një familje ku ishin të tre fëmijët të moshave të ndryshme të pavaksinuar dhe të tre fëmijët u paraqitën me shfaqje të fruthit. Vajzën e madhe të cilën ata e kishin vaksinuar nuk kishte asnjë problem dhe prindërit aty u bindën që vërtetë paskemi gabuar që i kemi lënë fëmijët të pavaksinuar. E kaluan në gjendje të mirë sepse nuk la komplikacione. Bëri deri në bronkopneumoni fëmija i vogël.”
Pas shpërthimit të fruthit në muajin Janar, mjekja thotë se ka interes të prindërve për të vaksinuar fëmijët.
“Pothuajse gjithë popullata, të gjithë prindërit u informuan dhe u mobilizuan në të vërtetë. Shikonim që kishim prurje goxha duke u frikësuar se herë herë prindërit thoshin që ne na duhet vetëm një letër për ta çuar në institucion, nuk mendonin problemin shëndetësor. Nga ajo kohë patëm goxha ndryshim edhe në vaksinim. U rrit përqindja e vaksinimit.”
Doza e parë e vaksinës së fruthit bëhet në moshën 1 vjeç, shtyrja e moshës së vaksinimit sipas mjekes sjell ulje të efikasitetit të vaksinës. Ndaj ajo u bën apel prindërve që të mos neglizhojnë kohën e vaksinimit.
“Sidomos atyre prindërve të grupmoshës së fëmijëve të vitit të parë të mos hezitojnë ta bëjnë vaksinën e fruthit. Është mbrojtje për shëndetin. Shtyrja humbet kohë. Shtyrja çon në krijimin e sëmundshmërisë dhe pastaj të xhepave për këto sëmundje infektive.”
Sipas të dhënave të ISHP-ës incidenca më e lartë e përhapjes së fruthit është në grupmoshën 2-4 vjeç me 13.4 raste/100 000 banorë. Nga 34 rastet e konfirmuar 20 prej tyre, janë shtruar në spital ndërsa pjesa tjetër janë trajtuar në shtëpi. Shpërthim të fruthit veç Tiranës, ka patur dhe në Durrës.
Klan News