Finlanda po planifikon që të ofrojë vaksinim parandalues kundër gripit të shpendëve që në javët e ardhshme për disa punonjës që janë të ekspozuar ndaj shpendëve. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore këtë të martë, duke e bërë Finlandën vendin e parë për aplikimin e kësaj vaksine.
Vendi nordik ka blerë vaksina për 10,000 persona, secila e përbërë nga dy injeksione, si pjesë e një prokurimi të përbashkët të BE-së deri në 40 milionë doza për 15 vende nga prodhuesi CSL Seqirus (CSL.AX).
“Vaksina do ju ofrohet personave 18 vjeç e sipër, atyre që janë në rrezik të shtuar ndaj gripit të shpendëve për shkak të punës apo rrethanave të tjera”, tha në një deklaratë Instituti Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien.
Lloji H5N1 i gripit të shpendëve ka shkaktuar asgjësimin e qindra-miliona shpendëve në mbarë botën gjatë viteve të fundit dhe është përhapur gjithnjë e më shumë te gjitarët, duke përfshirë lopët në Shtetet e Bashkuara dhe, në disa raste, edhe te njerëzit.
Edhe pse Finlanda nuk e ka zbuluar ende virusin tek njerëzit, ky do të jetë shteti i parë që do të nxjerrë vaksinat duke pasur parasysh rreziqet e transmetimit të paraqitura nga fermat e tij.
Një zëdhënës i Institutit Finlandez për Shëndetin dhe Mirëqenien tha për Reuters, se vaksinimet ka të ngjarë të fillojnë që në fillim të javës së ardhshme në të paktën disa pjesë të Finlandës./tvklan.al