“Për heqjen e masave duhet pritur edhe pak”
Pas 17 janarit që shënoi kulmin e infektimeve ditore, me mbi 2800 raste, kurba e infektimeve po njeh vetëm ulje. Kjo krijon optimizëm në radhët e ekspertëve të shëndetësisë, që besojnë se muaji Mars do të sjellë edhe fundin e valës së Omicronit në Shqipëri.
“Besoj se në Shkurt do të nisin të ulen rastet, dhe deri në fund të Shkurtit do të jenë ulur goxha, kështu që në muajin Mars do të jemi më të qetë. Në 7 ditët e fundit kemi një ulje me 36% të rasteve të reja dhe të vdekjeve që janë ulur me 12%. Këto janë tregues shumë të rëndësishëm”.
Një sërë vendesh europiane si Britania e Madhe, Danimarka, Suedia dhe Gjermania i kanë hequr masat kufizuese apo janë në diskutim të këtij vendimi. Një vendim i tillë sipas epidemiologes Rovena Daja, mund të nisë në Shqipëri pasi të kemi një përqindje me të lartë vaksinimi me 2 doza, që aktualisht arrin në mbi 50%.
“Nëse do të kishim një përqindje më të lartë të popullsisë, e cila do të kishte kryer 2 doza antiCovid, 60 apo 70% mund do t’i lehtësonim goxha këto masa. Po në këto momente aty ku duhet të përqendrohemi nuk është heqja e masave, por ato që janë të zbatohen aktualisht”.
Për momentin, grupmosha 25 deri 34 vjeç ka edhe numrin më të lartë të infektimeve të reja, të ndjekur nga fëmijët, tek të cilët ndikon mungesa e vaksinimit, por që sipas mjekeve arrijnë që ta kalojnë me shenja më të lehta.
Tv Klan