Zvarritet aleanca mes PD dhe Lëvizjes “5 Yjet”

Kur dukej se krizës politike në Itali po i vinte fundi, të tjera probleme dalin në pah mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes 5 Yjet. Dy forcat që pritej të lidhnin një aleancë, për të dërguar në opozitë Matteo Salvinin e Lega Nord, nuk po arrijnë të gjejnë marrëveshjen rreth ndarjes së pushteteve.

Pika e ndarjes mes palëve duket se është karrigia e kryeministrit që sipas rregullit i takon Lëvizjes 5 Yjet. Kreu i saj Luigi di Maio kërkon me çdo kusht konfirmimin e Giuseppe Conte.

Emri i kryeministrit aktual kundërshtohet nga Partia Demokratike, që akuzon 5 Yjet se kërkojnë të marrin edhe Ministrinë e Brendshme.

Koalicionin mes PD-së së qendrës së majtë dhe populistëve të 5 Yjeve e komentoi edhe kreu i Lega-s Matteo Salvini, që e cilësoi një aleancë të Republikës së Parë.

“Duket se po lind një qeveri që si të përbashkët të vetme ka kolltuqet, larg realitetit të vendit. Po lind nga një lojë, që është krejtësisht e kundërta me atë që shumica italiane e vërtetë, e heshtur ka votuar në zgjedhjet e fundit”.

Presidenti Sergio Mattarella pritet të nisë këtë të martë konsultimet me partitë politike, për të arritur formimin e një qeverie të re. Në rast të kundërt, Italia do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, një skenar që kërkon edhe Matteo Salvini.

Tv Klan