Sulmi terrorist në Moskë po rikthen vëmendjen në Europë për rrezikun nga ekstremistët

Italia po ndjek shembullin e Francës duke ngritur alarmin më të lartë për terror në vend pas  sulmit në një sallë koncertesh në periferi të Moskës dhe marrjen e përgjegjësisë nga një degë e grupit të Shtetit Islamik.

Si mbikëqyrja ashtu edhe kontrollet do të rriten, “duke i kushtuar vëmendjen më të madhe vendeve të grumbullimit, aeroporteve, transportit hekurdhuror dhe atij publik”, tha Ministria e Brendshme italiane në një deklaratë. Vendimi vjen para të dielës së Pashkëve.

Sulmi terrorist në Moskë po rikthen vëmendjen në Evropë për rrezikun nga ekstremistët, dhe veçanërisht degën e Azisë Qendrore, ndërsa kontinenti përgatitet për ngjarje të mëdha si Lojërat Olimpike të Parisit dhe Kampionatin Evropian në Gjermani.

Franca gjithashtu ka vendosur alarmin  në nivelin më të lartë dhe do të rrisë numrin e ushtarëve për njësinë e saj ‘Operation Sentinelle’, e cila merret me trajtimin e kërcënimeve terroriste. 4,000 anëtarë shtesë të ushtrisë do të vihen në gatishmëri që do të ruajë vende të tilla si stacionet hekurudhore, sinagoga, shkollat ​​dhe teatrot në të gjithë vendin.

Në Gjermani autoritetet kanë bërë të ditur se  kërcënimi nga ekstremistët islamikë mbetet dhe se forcat e sigurisë do të vijojnë të mbeten të stacionuara edhe në kufi.

Klan News