Sali Berisha u paraqit në SPAK si çdo të hënë në zbatim të vendimit “detyrim paraqitje”. Për mediat dhe para mbështetësve të tij, bëri publik mesazhin që shkruajti në proces verbal edhe pse zbuloi se aty nuk duhet të bënte vërejtje.

“Aty ku firmos unë dëshminë që unë erdha, aty thotë procesverbali se nuk mund të bëhet asnjë vërejtje. Dhe unë pastaj bëj një fletë të veçantë ku i them: Prokuroria politike e Edi Ramës, e kukullës së Xhorxh Sorosit, me një krye mercenar Dumanin, është vegël e regjimit të tij dhe patericë e pushtetit të krimit, i cili merr fund me turp më 11 Maj të vitit 2025. Ky është mesazhi për Edi Ramën që lashë në tavolinë”, tha Sali Berisha.

Sali Berisha deklaroi se SPAK duhet të ketë një sistem kontrolli për të larguar të korruptuarit dhe ata që janë të lidhur me krimin. Theksoi se kurrë nuk do të bashkoj votat me mazhorancën për këto ndryshime ligjore.

“Do ketë një kontroll tjetër, por jo këta që janë në konflikt të plotë interesi. Së fundmi, kush i kontrollon këta? A mundet të ketë një institucion jashtë kontrollit? Askund nuk ekziston në një republikë parlamentare në demokraci. Nuk ka asnjë institucion jashtë kontrolli, përveç kontrollit të pengmarrësve. Këta duhet të kenë sistemin e kontrollit si në gjithë botën”, tha Berisha.

Vijoj me akuzat ndaj Taulant Ballës duke lexuar pjesë nga dosja hetimore.

“Me datën 23.11.2020, Target njofton pinin AM5P80 se të gjithë e kanë ‘bllokuar’ Taon në mënyrë që të kuptojë nëse nuk ua rregullon këtë, nuk i ka në krah. Pra, Taos banda i bën bllokadë të plotë, ose qëndroji fjalës, ose me ne do kesh punë. Me datën 24, një ditë më vonë, Target informon të njëjtin pin se sot ata informuan Taon, ose ti bëje këtë për ne, ose nuk do lejojmë në anën tuaj zgjedhje. E kuptoni ku vendoset fati i zgjedhjeve dhe i votave? Vendoset në bodrumet, vendoset në shpellat e klaneve më mafioze të Edi Ramës”, tha kryedemokrati Berisha.

Berisha konfirmoi edhe koalicionin me Partinë e Lirisë. Kryetari demokrat bëri të ditur se Meta donte të ishte në lista të hapura. Duke qenë se ai është në burg, Berisha deklaroi se do të futet në listën e mbyllur.

“Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e opozitës shqiptare. Lista të hapura, mund të bëjë fushatë ai nga burgu? Donte të ishte në lista të hapura, por u burgos. Ai do të jetë deputet në Parlament, ndërsa Edi Rama do të jetë aty ku e meriton. Do të ekstradohet te McGonigal”, tha Berisha.

Me vendim të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit. Ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Klan News