Të zbulosh dhe të njohësh historinë mijëravjeçare të Durrësit, ishte qëllimi kryesor i një guide turistike që mblodhi së bashku komunitetin italian që ka zgjedhur të jetojë në këtë qytet.

Arkeologu Jani Koçillari, i cili udhëhoqi guidën, theksoi interesin e madh që ngjall qyteti tek njerëzit e të gjitha moshave. Ai vuri në dukje sesi italianët, banorët e rinj të Durrësit, mbeten të impresionuar ndërsa zbulojnë vlerat kulturore dhe historike të qytetit, si dhe rëndësinë e tij gjatë ngjarjeve të mëdha historike.

Vetë italianët e pranishëm e përshkruan Durrësin si një qytet që i ka surprizuar me pasurinë e tij historike, duke filluar nga antikiteti deri në ditët tona, duke treguar interes të shtuar për ta njohur më shumë.

Francesco Pellicano: Ne jemi rezidentë këtu dhe Durrësi na ka mirëpritur. Ndaj kemi dëshirë të njohim qytetin dhe historinë e këtij populli që kemi zgjedhur, të këtij vendi ku kemi vendosur të jetojmë. Historia e këtij vendi na tërheq, na intereson, duam dhe ne të jemi pjesë e historisë, ndaj na pëlqen të thellojmë njohuritë mbi kulturën, që na bëjnë të ndihemi pjesë e popullit shqiptar.

Ferruçio Bortolosi: Prej një viti e gjysmë jetoj këtu. Kemi parë mikëpritjen, vlerat e familjes dhe miqësisë dhe se si po ndryshon Shqipëria. Duke qenë se e njohim pak historinë, kjo është një mundësi për të zbuluar vlerat. Ka monumente që ti i shikon, por nuk di më shumë, se si janë ndërtuar, pse janë aty, cilat janë vlerat që kanë. Ndaj kjo është një mundësi për të njohur e mësuar.

Pasuria kulturore e Durrësit po e vendos gjithnjë e më shumë këtë qytet në qendër të guidave turistike, duke e kthyer në një destinacion të preferuar për t’u vizituar gjatë gjithë vitit.

Tv Klan